Prona e konfiskuar në shërbim të viktimave të dhunës, prezantohet Qendra e Emergjencës në Tiranë
Dy prona të konfiskuara do të ofrojnë strehim deri në 72 orë dhe shërbime mbështetëse për gratë, vajzat dhe fëmijët.
Dy apartamente të konfiskuara janë kthyer në një hapësirë sociale në shërbim të grave dhe vajzave viktima të dhunës, si dhe fëmijëve të tyre, përmes ngritjes së Qendrës së Emergjencës, të prezantuar në Tiranë.
Qendra është realizuar nga Qendra Shqiptare për Impakt Social (SICA), me mbështetjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe The Nando & Elsa Peretti Foundation, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shtetërore. AAPSK e ka mbështetur konkretisht nismën duke i dhënë SICA-s në huapërdorje dy apartamente të konfiskuara, të cilat janë vënë në funksion të strehimit emergjent dhe ofrimit të shërbimeve mbështetëse për viktimat e dhunës.
Pasuritë e konfiskuara marrin funksion social
Gjatë ceremonisë, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, theksoi se përdorimi social i pasurive të konfiskuara është një nga mënyrat konkrete për t’ua rikthyer këto asete qytetarëve dhe komunitetit.
“Një pasuri e konfiskuar merr një vlerë të re kur vihet në shërbim të njerëzve që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Përmes përdorimit social, pasuritë që dikur lidhen me veprimtari të paligjshme kthehen në instrumente solidariteti, mbrojtjeje dhe interesi publik. Kjo qendër është një tjetër shembull konkret i asaj që synojmë: që asetet e konfiskuara t’i rikthehen shoqërisë duke krijuar një ndikim real dhe të prekshëm”, u shpreh Xhaja.
Rreth 140 gra, vajza dhe fëmijë pritet të përfitojnë
Sipas projektit, rreth 140 gra, vajza dhe fëmijë parashikohet të jenë përfitues të drejtpërdrejtë të Qendrës së Emergjencës. Struktura do të mundësojë strehim të menjëhershëm dhe të sigurt deri në 72 orë, krahas mbështetjes psikosociale, ndihmës ligjore dhe mjekësore, ndërhyrjes në krizë dhe referimit drejt shërbimeve afatgjata të
mbrojtjes dhe riintegrimit.
Hapja e Qendrës synon të plotësojë një boshllëk në sistemin e mbrojtjes, pasi deri në ngritjen e saj në Tiranë mungonte një shërbim i dedikuar për strehimin emergjent 72-orësh të viktimave të dhunës dhe fëmijëve të tyre.
Institucionet dhe partnerët në prezantimin e Qendrës
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave partnere, mes tyre Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, zvministrja e Brendshme, Silva Caka, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin, përfaqësues të Ambasadës së Francës dhe Ambasadës së Holandës, si dhe Koordinatori Ekzekutiv i The Nando & Elsa Peretti Foundation, Stiven Shala.
Nisma përfaqëson një model të përdorimit social të pasurive të konfiskuara, duke i kthyer asetet e administruara nga shteti në hapësira që ofrojnë drejtpërdrejt shërbime dhe mbështetje për kategoritë në nevojë.